December 9, 2024
17-30-REDAKT.Takimet-e-Mickoskit-vetem-kurtoazi-pa-efekt-konkret.jpg


“Për momentin, jo vetëm që nuk ka asnjë shtysë nga pala bullgare për të ndryshuar qëndrimin, por të gjitha deklaratat e liderëve evropianë janë të prera dhe të qarta: nuk ka ndryshim në kuadrin e negociatave dhe Maqedonia e Veriut për të hapur kapitujt e parë, duhet të përfshijë bullgarët në Kushtetutë. Takime të tilla janë më shumë kurtoazi sesa të dobishme”, vlerëson Atanasovski

Ersan PAJAZITI

Shkup, 9 nëntor – Kryeministri Hristijan Mickoski është kthyer me optimizëm nga vizita e tij në Budapest, ku u takua me presidentin francez Emanuel Makron në margjinat e Samitit të pestë të Komunitetit Politik Evropian. Me këtë rast, Mickoski deklaroi se është i bindur që vendi do të gjejë një zgjidhje me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian. Mickoski njoftoi pas takimit se, ai dhe Makroni kanë biseduar hapur për zhbllokimin e rrugës së Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian. Mickoski ndër të tjera informoi se ka mbajtur një sërë takimesh bilaterale, ku ka prezantuar argumentet tona, si e shohim të ardhmen tonë ekonomike, siç tha ai, çfarë është e rëndësishme, qëllimet tona ekonomike, si planifikojmë ta zhvillojmë Maqedoninë tonë, por në të njëjtën kohë ne paraqesim pikëpamjet dhe argumentet tona për rrugën tonë të integrimit evropian.

Megjithatë, analistët politik thonë se ndryshe nga Mickoski, që shpreson t’ tejkalojë ndryshimet kushtetuese, konkrtetisht të mos pranojë futjen e bullgarëve në Kushtetutë, Maqedonia nuk mund të lëvizë përpara pa e respektuar Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë, e që ndryshe njohet edhe si “Propozimi francez”.  Analisti politik, Bllagojçe Atanasovski, vlerëson se takimet si këta të fundit të Mickoskit në Budapest, nuk sjellin përparim, duke qenë se Bullgaria nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj në lidhje me kushtet për nisjen e negociatave. Atanasovski madje këto takime i sheh më tepër si kurtoazi sesa si mundësi për gjetje të zgjidhjes.

“Në mënyrë që të ketë një përparim në integrimin evropian, duhet të ketë harmonizim konsensual të të gjitha 27 vendeve anëtare të BE-së, përfshirë Bullgarinë. Për momentin, jo vetëm që nuk ka asnjë shtysë nga pala bullgare për të ndryshuar qëndrimin, por të gjitha deklaratat e liderëve evropianë janë të prera dhe të qarta: nuk ka ndryshim në kuadrin e negociatave dhe Maqedonia e Veriut për të hapur kapitujt e parë, duhet të përfshijë bullgarët në Kushtetutë. Takime të tilla janë më shumë kurtoazi sesa të dobishme”, vlerëson Atanasovski.  Sipas tij, situata e krijuar në rajon është ndikuar edhe nga zgjedhjet e fundit në Shtetet e Bashkuara dhe fitorja e Donald Trumpit, gjë që disa qarqe në Maqedoni e shohin si një mundësi për të ushtruar presion ndaj Bashkimit Evropian.

Sipas Atanasovskit, ndryshimi i administratës në SHBA vetëm se mund të përkeqësojë perspektivat për zgjidhjen e problemit, sepse sipas Atanasovskit, Trump nuk do të ketë në fokus Ballkanin Perëndimor, veçanërisht Maqedoninë e Veriut, përkundrazi, mund të jetë një mundësi për shtimin e ndikimit rus në vend.

“Nëse SHBA i kthehet çështjeve të brendshme, interesi i administratës Trump në Ballkanin Perëndimor do të bjerë për disa shkallë. Shtrohet pyetja, deri kur përfaqësuesi i koalicionit etniko-shqiptar në qeveri do të jenë shërbyes të Ivan Stoiljkoviqit dhe do të zbatojnë skenarë ruso-serbë me aromë hungareze në Maqedoni dhe do të legjitimojë një politikë të udhëhequr nga Orban dhe Vuçiq në Maqedoni?!”, vlerëson Atanasovski.

Dhe, pavarësisht optimizmit të Mickoskit dhe mbështetjes së deklaruar nga disa liderë evropianë, si presidenti I Hungarisë Viktor Orban, qëndrimi i Bullgarisë mbetet pengesë kryesore për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Pa miratimin e ndryshimeve kushtetuese, me të cilat parashihet futja e bullgarëve në Kushtetutë, rruga drejt BE-së mbetet e vështirë për Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, ndryshimet e mundshme në politikën e jashtme amerikane mund të ndikojnë gjithashtu në balancën e forcave dhe qëndrueshmërinë e rajonit. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *