Mickoski do të kërkojë ndihmë nga institucionet e BE-së
Kryeministri Hristijan Mickoski gjatë fundjavës ka theksuar se nëpërmjet kanaleve të ndryshme institucionale do të kontaktojë dhe do të punojë me Komisionin Evropian dhe partnerët tanë për të gjetur një zgjidhje për debllokimin e procesit integrues të vendit
Xhenur ISENI
Shkup, 7 tetor – Dua të theksoj se nëpërmjet kanaleve të ndryshme institucionale do të kontaktoj dhe do të punoj me Komisionin Evropian dhe partnerët tanë për të gjetur një zgjidhje, e cila do të jetë dinjitoze dhe në përputhje me interesat kombëtare, ndërsa diktate të jem i qartë – nuk pranoj! Ky është mesazhi i kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në lidhje me kërkimin e zgjidhjeve për zhbllokimin e rrugës integruese të Maqedonisë, të cilin e shprehu gjatë fjalimit të tij të djeshëm në Unionin e Forcave të Reja të partisë.
“Ky proces kërkon mirëkuptim edhe nga Unioni, i cili presim të tregojë të njëjtin besim në të ardhmen evropiane të rajonit tonë që është edhe besimi ynë. Maqedonia dhe qytetarët tanë kanë dhënë shumë dhe kanë qenë peng i problemeve dhe kërkesave dypalëshe për një kohë të gjatë. Unë nuk jam duke kërkuar simpati dhe justifikime. Kërkoj respekt për popullin tim!”, tha kryeministri.
Për momentin nuk mund të supozohet se cili do të ishte qëndrimi i institucioneve të BE-së, por përgjigja e Sofjes zyrtare tashmë dihet paraprakisht. MPJ bullgare tha pardje se “procesi i integrimit evropian është i bazuar në meritat e veta dhe nuk lejon ndërmjetësim ndërmjet BE-së dhe një vendi kandidat”. “Lidhur me deklaratat e vazhdueshme të përfaqësuesve të RMV-së që vënë në pikëpyetje parimin ‘pacta sunt servanda’, rikujtojmë se Shkupi shpalli si prioritet kryesor të politikës së jashtme aderimin në familjen evropiane sipas vlerave dhe rregullave. Kjo nënkupton respektimin e rreptë të obligimeve tashmë të njohura. Procesi i integrimit evropian bazohet në meritat vetanake dhe nuk lejon ndërmjetësimin midis BE-së dhe vendit kandidat. Garanca e vetme për sukses është përmbushja e kritereve dhe kushteve”, thuhet në njoftimin e MPJ-së bullgare.
Mickoski kujtoi dje se anëtarësimi në BE është prioritet strategjik. “Duke ndarë Shqipërinë nga Maqedonia në procesin e anëtarësimit, ju i keni bërë dëm të gjithë skeptikëve dhe të gjitha forcave që nuk besojnë në BE. Ne besojmë në BE. Dhe ne besojmë se anëtarësimi i Maqedonisë në BE është prioriteti ynë strategjik. Anëtarësimi në BE është një faktor koheziv në të gjitha linjat e shoqërisë, nga etnik në atë politik. Dhe ne jemi të vendosur pa mëdyshje të vazhdojmë në atë rrugë. BE-ja vazhdimisht tregon padrejtësi ndaj nesh me lëvizje të tilla. Edhe pse lëvizja dhe ndarja e Shqipërisë nuk nënkupton anëtarësimin e saj të shpejtë në Union, nuk është hera e parë për ne. Ne ishim në të njëjtin grup me Bullgarinë dhe Rumaninë, pastaj me Kroacinë, pastaj me Serbinë dhe Malin e Zi dhe në fund me Shqipërinë. Jam i bindur se do të takohemi sërish në atë kohë dhe kjo është e qartë për të gjithë ata që e njohin procesin e zgjerimit dhe situatën në BE, por megjithatë, nuk duhet të lëmë skeptikët të fitojnë dhe vendi të mbetet i mbërthyer në kotësi gjeopolitike. Anëtarësimi në Union duhet të jetë i gjallë, procesi duhet të jetë i gjallë dhe ne do të ofrojmë propozime dhe zgjidhje për tejkalimin e kësaj gjendjeje status quo. Në të njëjtën kohë do të punojmë me përkushtim për reformat e anëtarësimit në Union dhe do të ndryshojmë realitetin e keq, është për të mirën tonë dhe jemi të vetëdijshëm për këtë”, theksoi Mickoski duke shtuar se planifikojnë që në proces ta përfshijnë edhe opozitën, siç tha ai “kur të vijë koha”.
Ndërkaq, lideri i së Majtës, Dimitar Apasiev, në një paraqitje në TV 24, theksoi se BE-ja nuk është e interesuar për ne dhe se ne duhet ta shohim rrugën tonë. “Ne nga Ballkani Perëndimor do të mbetemi zorra qorre apo ai që quhet gropa e Evropës. Këtu do të na nxjerrin xehet, do na sjellin mbeturina nga Italia për të djegur dhe ne do helmohemi, do i çojnë emigrantët nga Italia në Shqipëri në kampet e refugjatëve dhe do i paguajnë për kokë, kështu që Ballkani Perëndimor do të mbetet si enklavë dhe se Evropa ka nevojë që ne të qëndrojmë kështu, që të gjitha gjërat e pista nga atje të vijnë këtu ose në atë ‘kopsht’ siç e ka quajtur Boreli, ka nevojë për një gropë dhe kështu do të qëndrojmë”, thotë Apasiev. Sipas tij, në Maqedoni nevojiten politikanë me vizion, të cilët duhet të vlerësojnë momentin gjeopolitik, i cili nuk është i njëjtë që nga lufta me Ukrainën, dhe kështu ta pozicionojnë vendin në dritën e ristrukturimit të ri gjeopolitik. (koha.mk)