Balluku në Unazën e Madhe të Tiranës: Kërkohet një koordinim shumë i saktë për të ruajtur ritmin e lartë të punimeve paralelisht në të gjitha lotet
Në Unazën e Madhe të Tiranës po vijon puna me ritme të shpejta në të gjitha kantieret. Synohet që e gjithë kjo vepër e rëndësishme të finalizohet në fund të këtij viti, për të qenë e aksesueshme nga të gjithë qytetarët. Punimet po avancojnë me ritme të përshpejtuara edhe për ngritjen e veprave të artit që janë pjesë e këtij projekti.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli ndoqën nga afër ecurinë e punimeve për ndërtimin e urave mbi lumin Tirana.
“Aktualisht thuajse ka përfunduar pjesa e mbi strukturës. Paralelisht po montohen solentinat, po montohet hekuri si dhe po betonohet çdo dy ditë. Dhe në urën tjetër ecuria është e mirë. Pothuajse ka përfunduar e gjithë pjesa e nën strukturës, është transportuar në kantier mbi struktura metalike dhe në ditët në vijim fillon dhe montimi i saj”, bëri të ditur Gjyli referuar grafikut të punimeve në këtë lot.
Zëvendëskryeministrja Balluku tha se është e rëndësishme që punimet po ecin sipas një grafiku të mirëpërcaktuar që të gjitha lotet e Unazës së Madhe të Tiranës të avancojnë paralelisht për të shmangur çdo vonesë. Për këtë, shtoi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, është duke u koordinuar në vijimësi mes inxhinierëve të MIE, ARRSH dhe atyre të kompanive që po realizojnë punimet.
“Një koordinim shumë i mirë nga ana e ARRSH-së dhe gjithë inxhinierët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është vendimtare për dorëzimin e kësaj vepre brenda afatit që është kërkuar, sigurisht gjithmonë para afatit të kontratës tashmë, pasi është diçka që ne po e aplikojmë në të gjitha kantieret, duke pasur parasysh që Unaza e Madhe kur të përfundojë e gjitha do të jetë një nga infrastrukturat më të rëndësishme, jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë vendin”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkoi që punimet të vijojnë me intensitet në mënyrë që në fund të këtij viti të gjitha lotet të jenë të përfunduar dhe të aksesueshëm nga automjetet. “Kërkohet një koordinim shumë i mirë nga Ministria dhe ARRSH-ja midis kantiereve për të mos i krijuar pengesa apo vonesa njëri tjetrit dhe ndërkohë puna të vazhdojë me intensitet duke pasur parasysh një afat që ne kemi vendosur që është fundi i vitit për të qenë të gjitha kantieret funksionale”, nënvizoi Balluku.
Në lotin ku po ndërtohen urat mbi lumin Tirana deri më tani janë realizuar mbi 70% e punimeve.