“Edlira shikonte celularin…”, mes lotësh Arbër Çepani bën rrëfimin prekës për Gert Bogdanin…
Arbër Çepani, rrëfeu mbrëmjen e sotme në “Top Story” përjetimet pas ndarjes nga jeta të kunatit të tij, ish-deputetit, Gerti Bogdani.
Teksa fliste, lotët nuk thaheshin nga sytë e tij, e shpesh shpërthente në të qara me ngashërim.
Ai tregoi momentin se si e mori vesh lajmin që tronditi familjen.
“Sapo ndodhi ma thanë direkt, kaluan disa minuta pasi e gjetën në atë gjendje në tualet dhe e dërguan në spital. Hajde se nuk është mirë Gerti më thanë, nuk është ndjerë mirë dhe është në gjendje të fikti. Nuk e besoja kurrë që mund të kishte diçka të keqe, ishte më i forti ndër ne. Dukej sikur do na përcillte Gerti një nga një, se mendonim se do bënte këtë parakalim. Kur shkova në urgjencë mendova se ka ndonjë gjendje të fikti. Pashë skenën pastaj dhe ishin mbi kokën e Gertit mbi 15 veta që kërkonin ta mbanin dëshpërimisht në jetë, fillova të kuptoja se ishte gjëja serioze”, tha ai.
Çepani theksoi se donte motra e tij, bashkëshortja e Gertit, që të ishte në studio e të fliste për të.
“E kam të pamundur të flas për Gertin, por donte Edlira të isha këtu, dhe e di që do donte dhe ai që të isha këtu. Do doja të flisja për gjëra të tjera për Gertin, jo pasi bëmë funeralin. Por Edlira donte të isha këtu, që të flisnin njerëz që e donin dhe i donte. Gertin s’e quaj dot kunat, e kisha dhe shok e kisha këshillues, ishte për ne si një mal, çdo problem të kishim e kishim Gertin si një mal, ta shikonim Gertin në atë gjendje, që nuk bënim dot asgjë për të… boshllëku është i pakuptueshëm fare.Edlira mbante celularin në dorë, i thoja ma jep celularin ta mbaj unë, dhe më thoshte se ‘jo se mos më shkruan Gerti”. Shihte gjithmonë nga celulari se mos i shkruante. E kam të pamundur të jem sonte këtu, por donte Edlira”, tha ai, duke qarë me ngashërim.
Arbri rrëfeu se shpesh herë i ka thënë Gerti Bogdanit të hiqte dorë nga politika, ndërsa shtoi se pavarësisht se kishte zhgënjime, ai sërish nuk hoqi dorë.
“Mirësia e tij e la në hije në politikë, edhe ai e vuante këtë fakt. I thoja “mos u merr me politikë, ç’të duhet të merresh me hienat?”. Sot ishin të gjithë atje, të majtë e të djathtë. Kortezhi nuk mbarohej me njerëz. Edhe unë i thoja ‘mos u merr në politikë’. Gerti nuk ia doli në jetë, por ia doli ditën e vdekjes. Vetëm mirësia e Gertit i bashkoi ata njerëz. Ishte Gerti për të cilin shkuan njerëzit, sepse e duan. Jepte më shumë seç jepte. I thoja “Hajde Gert me mua, bë biznes. Mos u merr me ata”. Pavarësisht se kishte zhgënjime nga të gjithë sërish nuk hoqi dorë nga politika.”, tha Arbër Çepani me lot në sy.