Kosova ngjitet, Shqipëria bie në ranglistën e FIFA-s
Kombëtarja e Kosovës në futboll ka bërë ngritje në ranglistën e fundit të FIFA-s, të cilën Shtëpia e Futbollit Botëror e ka publikuar të enjten.
Në ranglistën e re që vlen deri më 24 tetor, Kosova ka përparuar për dy pozita falë ndeshjeve që i pati në fillim të muajit shtator në kuadër të Ligës së Kombeve.
Prej pozitës 106-të, Kosova është ngjitur në vendin e 104-të në renditjen e re dhe tani ka 1205 pikë të tubuara, në krahasim me 1203 pikët që i kishte në ranglistën e shkuar.
“Dardanët” i luajtën dy ndeshje në Ligën e Kombeve, ku fillimisht pësuan 3:0 nga Rumania në Prishtinë, përpara se ta mposhtin Qipron në udhëtim me rezultatin e thellë 4:0.
Në ranglistën e re, Kosova është mbi Namibinë kurse ka tri pikë më pak se Taxhikistani që renditet i 103-ti.
Për dallim prej Kosovës, Kombëtarja e Shqipërisë ka pësuar rënie në ranglistën e re të FIFA-s dhe këtë për shkak të rezultateve në dy ndeshjet e fundit.
Shqipëria në fillim të këtij muaji triumfoi 2:1 ndaj Ukrainës dhe u mposht 1:0 nga Gjeorgjia në Ligën e Kombeve, gjë që i kushtoi me humbjen e një pozite në ranglistën e FIFA-s.
Shqipëria, aktualisht renditet e 67-ta me 1377 pikë duke u parakaluar në ranglistë nga Gjeorgjia, e cila tani ka zënë vendin e 66-të dhe ka 1378 pikë.
Sa i përket 10-të vendeve të para në ranglistë, ato nuk kanë ndryshuar nga renditja e fundit, me Argjentinën që është e para me 1889 pikë.
Pastaj vijnë, Franca, Spanja, Anglia, Brazili, Belgjika, Holanda, Portugalia, Kolumbia dhe Italia, të cilat e mbyllin “top dhjetëshen” e ranglistës së re të FIFA-s.