Sigal Prishtina mposhtet nga Proton Cable Prizreni
Proton Cable Prizreni ka arritur që të ketë strat të mirë në edicionin e ri. Kjo pasi në javën e parë të ProCredit Superligës ka mposhtur Sigal Prishtinën me rezultat 100:88.
Prizrenasit e kanë dominuar ndeshjen, duke fituar çerekun e parë me shifrat 29:17, pas një serie të fuqishme prej 14:6.
Lojtarët e Prizrenit kanë vazhduar me një performancë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke rritur epërsinë në 56:37 në përfundim të pjesës së parë. Epërsia është thelluar më tej në çerekun e tretë, ku rezultati pas 30 minutash ishte 80:56.
Përkundër përpjekjeve të prishtinasve në dhjetë minutat e fundit, ata nuk ia kanë arritur të përmbysnin disavantazhin, dhe ndeshja ka përfunduar me fitoren bindëse të Proton Cable Prizrenit 100:88.
Më i dalluari për vendasit ka qenë Urim Zenelaj, i cili ka realizuar 15 pikë dhe 14 kërcime, ndërsa për mysafirët, Jawachi Nzeakor ka qenë më i miri me 29 pikë dhe shtatë kërcime.