Conte kujton vitet me Juventusin dhe Interin
Antonio Conte ka zgjedhur Napolin për t’u rikthyer në Serie A pas tri vitesh.
Trajneri, i intervistuar nga kanalet zyrtare të “Lega”, shpjegoi arsyet që e shtynë të pranonte ofertën e De Laurentiis. Po ashtu, u rikthye pas edhe në vitet që kaloi në krye të Juventusit dhe Interit, me të cilët fitoi gjithsej 4 tituj kampioni.
Conte shpjegoi pse zgjodhi Napolin për të rifilluar në Serie A: “Ishte një sfidë emocionuese, një mundësi e rëndësishme për mua të përjetoja një qytet, që është i mrekullueshëm, me tifozë të pasionuar, të cilët jetojnë për futbollin. Napoletanët zgjohen dhe shkojnë të flejë me futbollin në mendje. Është një sfidë e vështirë, nuk kam dyshim për këtë, por mendoj se jam në kulmin e pjekurisë sime për t’u përballur me të”.
Duke iu rikthyer titujve të fituar me Juventusin dhe Interin, megjithatë, Conte nënvizoi: “Historia është e rëndësishme në përgjithësi, ndonjëherë mund të ketë pak pluhur mbi të, por nëse e pastron, historia del dhe mund të të japë një dorë të madhe. Unë pata kënaqësinë të kisha dy presidentë të rinj si Agnelli dhe Zhang, të cilët nuk e kishin fituar kurrë titullin dhe donin të konkurronin të tjerët”.
Para se të mbërrinte në stolin e Napolit, ai bëri një vit pushim: “Më ka munguar futbolli. Herë pas here duhet të shkëputemi nga priza… Ata që jetojnë me futbollin si unë, plot pasion, duke i kushtuar kaq shumë orë këtij sporti, duhet të ndalojnë herë pas here për t’u rikuperuar përpara përvojës së re. Tani kam shumë energji, jam mjaft i emocionuar”.
Conte preferon të mos thotë shumë për kohëzgjatjen e qëndrimit të tij te Napoli: “A mund të qëndroj më shumë se tri vite? Nuk mund ta them këtë. Shumë trajnerë thonë se pas tri vitesh, ose të gjithë lojtarët, ose trajneri duhet të ndryshohen. Duke thënë këtë, ju filloni një cikël dhe shpresoni që të zgjasë sa më shumë që të jetë e mundur. Nga puna e bërë ndër vite, kur largohem, unë iu lë një trashëgimi të bukur të tjerëve”.
Kur u pyet se cili është favorit për titullin e Serie A (2024-2025), Conte u përgjigj: “Nuk më intereson, nuk dua të bëj parashikime. Ne po përpiqemi të rindërtojmë diçka të rëndësishme. Nuk do të hyj në diskutime të tilla. Duhet të flasim pak dhe të bëjmë shumë gjëra në fushë gjatë javës. Çdo ditë duhet të japim më të mirën”.