Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka reaguar ndaj thirrjeve shqetësuese të ambasadave amerikane dhe britanike në Tiranë. Tensionet e fundit në Parlament, me tymueset e ndezura nga deputetët e opozitës dhe flakës që iu vu një karrigeje reagoi ambasada e SHBA-së dhe ajo e Britanisë së Madhe.
Të dyja shprehën shqetësim për situatën e krijuar dhe nga ana tjetër bëjnë thirrjeve palëve të rikthehen në dialog në interes të qytetarëve. Gjekmarkaj i përshëndet këto deklarata.
Ai shprehet se opozita kërkon kthimin në normalitet të Parlamentit dhe funksionimin e plotë të tij. Nga ana tjetër ai i bën thirrje Kryetares së Kuvendit dhe mazhorancës të reflektojnë dhe t’i krijojnë opozitës mundësinë të ushtrojë të drejtat e saj kushtetuese në mbrojtje të interesit të qytetarëve.
Reagim i Nënkryetarit të Kuvendit Agron Gjekmarkaj
Përshëndes deklaratat konstruktive të partnerëve tanë strategjik SHBA-Britani e Madhe, për dialog konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës. Me përgjegjësinë ndaj interesit të qytetarëve prej më shumë se një muaj, opozita kërkon kthimin në normalitet të Parlamentit dhe funksionimin e plotë të tij, duke respektuar të drejtat kushtetuese të opozitës. Një parlament që nuk respekton të drejtat e opozitës, humb funksionimim normal të tij, duke mohuar ushtrimin e përgjegjësisë për mbikëqyrjen demokratike të qeverisë. Është e papranueshme për një vend demokratik që dialogu konstruktiv mes palëve të zëvendësohet me shndërrimin e sallës së parlamentit në repart gardist, për të shuar me forca sigurie zërin e opozitës për të drejtat e saj. Me besimin e plotë se funksionimi normal i Parlamentit kërkon mbi të gjitha respektimin e opozitës, i bëj thirrje Kryetares së Kuvendit dhe mazhorancës të reflektojnë dhe ti krijojnë opozitës mundësinë për të ushtruar e qetë të drejtat e saj kushtetuese në mbrojtje të interesit të qytetarëve. Ngritja e Komisioneve Hetimore dhe heqja dorë nga emërimi i opozitës, janë parakushte për një Shqipëri të denjë për të qenë anëtare e NATO-s dhe vend kandidat në BE.