Ka përfunduar dhe sfida e fundit eleminatore për Euro 2024 mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe. Kuqezinjtë nuk shkuan më shumë se 1 barazim 0-0 në Air Albania. Megjithatë, barazimi e mban ekipin e Sylvinhos në vendin e parë në grup, për herë të parë në historinë e kombëtares shqiptare në eleminatoret e një europiani.
Nuk ishte mbrëmja më e mirë për skuadrën tonë, megjithëse rastet nuk munguan. Trajneri brazilian u mundua të provonte elementë të rinj në formacion. Ndërkohë në pjesën e dytë bëri dhe ndërrime të tjera duke aktivizuar Muçollin, Laçin, Cikalleshin dhe Muçin.
Nga ana tjetër duhet vlerësuar edhe kundërshtari, i cili nuk kishte ardhur për një shëtitje në Tiranë. Kjo është pika e parë e tyre në këto sfida eleminatore.
Barazimi na mban në vend të parë me 15 pikë, po aq sa Republika Çeke, por kuqezinjtë kanë avantazhin e fitores në ndeshjen direkte.
Tashmë për çdo tifoz pritet vetëm vera e ardhshme, atëherë kur do të zhvillohen finalet e kampionatit evropian në Gjermani. Më datë 2 dhjetor hidhet shorti ku do të mësohen kundërshtarët në grup.