Pablo Gavi u dëmtua gjatë sfidës së mbrëmshme që kombëtarja spanjolle zhvilloi për eleminatoret e Euro 2024 ndaj Gjeorgjisë. Mesfushori u largua i dëmtuar nga takimi që përfundoi 3-1 me fitoren e “La Roja”.
Gjatë ekzaminimeve mjekësore doli që Gavi kishte këputur ligamentet e gjurit dhe do të humbasë të gjithë pjesën e mbetur të sezonit. Pa dyshim që ky është një lajm i hidhur për Barcelonën, pasi skuadra humbet një nga titullarët më të rëndësishëm të formacionit. Por lajm i keq është edhe për kombëtaren spanjolle, pasi verën e ardhshme është evropiani gjerman dhe nuk dihet nëse 19-vjeçari do të jetë i gatshëm.
Megjithatë klubi i Barcelonës mund të ngushëllohet disi. Sipas rregullit FIFA do të dëmshpërblejë klubin katalan, pasi dëmtimi i ndodhi Gavit gjatë një ndeshjeje ndërkombëtare. Barcelona mund të përfitojë nga dëmtimi i tij deri në 7.5 milionë euro. Mesfushori i shtohet kështu listës së gjatë të dëmtimeve të ekipit dhe do të shihet se si do ta menaxhojë trajneri Xavi këtë situatë.