I ftuar në studion e Fax News këtë pasdite ishte gazetari i njohur sportiv dhe “Mjeshtri i Madh”, Moisi Dalipi. Për Albi Rakip, ai foli për suksesin e kombëtares shqiptare, që me barazimin e marrë dje në Moldavi siguroi një biletë për Euro 2024.
Dalipi vlerësoi jashtë mase trajnerin Sylvinho. Sipas tij ai po e çon ekipin kombëtar drejt suksesit. Megjithëse në fillim pati kritikë ndaj tij kur u emërua, tani të gjithë i ka bërë për vete.
Ky rezultat u arrit me punë dhe Sylvinho, sipas Dalipit, i ka bërë lojtarët ta duan fanellën e kombëtares. Arritja në Evropian u bë e mundur edhe në 2016, por atëherë morëm një fitore në tavolinë.
Trajneri brazilian ka krijuar një frymë grupi, duke pasur në dispozicion një grup lojtarësh në moshë të re të cilët ndihmojnë njëri-tjetrin.
Moisi Dalipi: Sylvinho është shumë punëtor, shumë njerëzor, shumë profesionist. Kur Sylvinho u caktua trajneri i ekipit përfaqësues pati kritika, e përbaltën. Tani këta fillojnë bëjnë edhe poza, fotografi. Megjithatë s’ka gjë. Sylvionho ka krijuar një kolektivitet në skuadrës. Skuadra duhet respektuar, fanella duhet respektuar. Të luash për përfaqësuesen është nder i madh. Është arritur me punë. Jo vetëm ai por edhe stafi i tij. Sylvinho ka aktivizuar deri tani 23 lojtar, 10 të tjerë i ka thirrur. 14 pikë, në 2016 arritëm kaq. Por atëherë morëm rezultat në tavolinë. Ta mundësh Çekinë, Poloninë nuk është pak. Janë mundur 2-0, 3-0. Të luash në fushën e tyre ashtu ka meritën e tij ky trajner. Jo vetëm ka ekip në moshë të re, i ka bërë si bashkëpunëtor., Futbollistat e ndihmojnë njëri-tjerin, kjo tregon dashuri, krenari, harmoni. Sylvinho po e çon ekipin drejt suksesit.