Të hënën do të zhvillohet seanca e rradhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Është bërë më dije se Parlamenti do të zhvillohet nën prezencën e gardistëve të Republikës të cilët do të rrethojnë deputetët opozitarë që do të jenë të pranishëm në seancë. Kjo për shkak të trazirave në seancat e fundit plenare.
Lidhur me këtë vendim ka reagur për mediat, deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ai shprehet se është shpallur zyrtarisht shteti autokrat i Edi Ramës.
Bardhi dënon me forcë këtë degradim, siç e quan ai, të regjimit të Ramës. Ai shton se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe ky është një akt i paprecedentë në 32 vitet e pluralizimit.
Reagim i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi
Sot jemi njohur me urdhrin e paligjshëm të Lindita Nikollës për të rrethuar të hënën sallën e seancave plenare me forcat speciale të Gardës së Republikës, duke shpallur kështu zyrtarisht shtetin personal autokrat të Edi Ramës. Siç shihet edhe në foton bashkëlidhur Garda e Republikës është urdhëruar të bëjë “provat” gjatë ditës së sotme sesi do të rrethojnë deputetët e opozitës gjatë seancës plenare të së hënës!