Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se rritja e buxhetit të Policisë së Kosovës, ka qenë më e larta ndonjëherë.
Ai theksoi dallimin te buxheti i Policisë së Kosovës, ku në vitin 2023 në buxhet kanë qenë 12 milionë e 667 mijë euro, ndërkaq në vitin 2024 parashihen 21 milionë e 707 mijë euro, ndërsa dha edhe shifra në përqidnje ku është e sa është rritja.
“Në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka rritje të buxhetit për 97% për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, për Policinë Kosovës 17%, për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit 16% dhe kështu me radhë në agjencionet tjera. Totali në investime kapitale është 5,8 milionë, do të thotë rritje prej 3,8 milionësh”, ka deklaruar Sveçla.
Sveçla ka thënë se janë planifikuar 4.5 milionë investime kapitale në siguri kibernetike, e që sipas tij, janë 700 mijë euro më shumë sesa në vitin paraprak.
Buxheti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë do të jetë 1.7 milion euro, e që sipas Sveçlës kjo nënkupton rritje në investime kapitale prej 371 mijë euro dhe 113 mijë euro për ndërtimin e objektit.
Duke i replikuar deputetit Anton Quni nga LDK, ministri Sveçla tha se kanë blerë më shumë autoblinda sesa që kanë gjetur.
“Kodi buxhetor vazhdon. Deklarimi se nuk janë shpenzuar paratë e vitit të kaluar nuk qëndron. Unë mund t’iu them se në autoblinda, ne kemi bërë blerje të numrit të autoblindave më shumë se në të gjitha vitet e mëhershme. Kemi blerë më shumë autoblinda sesa kemi gjetur në gjithë historinë e Policisë së Kosovës”, tha ai.
Tutje ministri Sveçla në replikën e tij ndaj komenteve të deputetëve nga opozita ka deklaruar se prokurimin e pajisjeve e bën Policia e Kosovës dhe jo Ministria e Punëve të Brendshme.
Ai ka përmendur disa prej kontratave të cilat janë lidhur për blerje të pajisjeve për zyrtarët e këtij institucioni.
“Katër kontrata aktive për llojet e uniformave janë dhe në vazhdimësi bëhen blerjet. Një kontratë është aktive për çizme prej 750 mijë eurosh, 9 milionë euro janë investuar në pajisje vitin e kaluar, janë 2.8 milionë euro furnizim me uniforma taktike të cilat janë në proces dhe janë në 1.2 milion euro furnizim me këpucë të cilat gjenden në Organin Shqyrtues të Prokurimit”, ka deklaruar Sveçla.